Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, gjatë vizitës shtetërore në Katar, u prit sot nga Emiri, Sheikh Tamin Bin Hamad Al-Thani

11 mars 2015

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës shtetërore në Shtetin e Katarit dhe i shoqëruar nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, zoti Edmond Haxhinasto; Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, zoti Edmond Panariti si dhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, zoti Selim Berlortaja u prit sot nga Emiri i Katarit, Lartësia e Tij, Sheikh Tamin Bin Hamad Al-Thani.

Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer që Emiri dhe Shteti i Katarit i kanë dhënë Shqipërisë ndër vite duke e mbështetur financiarisht dhe me projekte konkrete zhvillimin ekonomiko-social të vendit që pas daljes nga izolimi i regjimit komunist, por edhe për nxitjen e investimeve të Katarit në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë Presidenti Nishani e falënderoi Emirin për ndihmën financiare të dhënë për përballimin e përmbytjeve të fundit në zonat e jugut të Shqipërisë.

Presidenti i Republikës vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, që reflektohen qartë edhe në shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë mes të dy vendeve si dhe theksoi dëshirën e palës shqiptare për t’i forcuar dhe thelluar më tej marrëdhëniet me një vend mik si Katari. Presidenti Nishani theksoi se, falë vullnetit të përbashkët për thellimin e këtij bashkëpunimi, si dhe kuadrit ligjor të përbashkët që është në fuqi, mundësitë për të eksploruar dhe nxitur bashkëpunimin në fushën e arsimit, si dhe atë ekonomike dhe tregtare janë shumë të mëdha. Kreu i Shtetit vlerësoi nevojën e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe krijimit të lidhjeve mes universiteteve shqiptare dhe Fondacionit të Katarit për Arsimin, Shkencën dhe Inovacionin me ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e lidhjeve më të forta mes popujve të të dyja vendeve si dhe parashtroi interesin e Shqipërisë për investime direkte të Katarit në fusha me interes për të dy vendet, veçanërisht në fushën e turizmit, infrastrukturës e të transportit ajror dhe atij detar, por dhe në fushat e bujqësisë dhe energjisë.

Me shumë interes u bisedua për mundësinë e vendosjes së linjës ajrore Doha-Tiranë, si dhe mundësinë e investimeve në fushën e turizmit dhe ndihmës në sektorin e bujqësisë për vënien në jetë të të cilave, Presidenti i Republikës u shpreh se: “Është shumë e rëndësishme dhe me shumë interes që të organizohen komisione të përbashkëta shtetërore apo forume të përbashkëta biznesi për të identifikuar dhe vlerësuar fushat me interes të ndërsjellë”.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu kontributin e Emirit Baba të Katarit, si dhe të Shtetit të Katarit në mbështetjen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës, si një kontribut shumë domethënës për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. U vlerësua vijimi i kësaj politike nga Katari dhe u ra dakord për të intensifikuar përpjekjet e përbashkëta për sigurimin e njohjeve të tjera nga vendet arabe dhe anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik ku të dyja vendet janë anëtare.

Mes të dy bashkëbiseduesve u trajtua edhe bashkëpunimi në kuadrin e zhvillimeve globale ku u vlerësua kontributi i të dy vendeve në koalicionin kundër terrorizmit ndërkombëtar si dhe mundësia e thellimit të bashkëpunimit në këtë aspekt.

Për nder të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bujar Nishani, Emiri i Katarit, Lartësia e Tij, Sheikh Tamin Bin Hamad Al-Thani, shtroi një drekë shtetërore në Pallatin Mbretëror.